Friday, 12.19.2014, 07:09am (GMT)
  Home
  FAQ
  RSS
  Links
  Site Map
  Contact
 
Mireserdhet ne Faqen Zyrtare te Ansamblit Cipini. Ketu do te gjeni cdo informacion per ansamblin, tekste kengesh, kenge, video, aktivitete, fotografi etj
::| Keyword:       [Advance Search]
 
All News  
  Rreth Nesh - About Us
  Aktivitete - Activities
  Bashkpunime - Cooperation
  Foto Galeri - PhotoGallery
  Kenge - Songs
  Video - Videos
  Statuti - The Statute
  Tekste - Lyrics
  Mesapliku
  Lidhje - Links
  Kontakt - Contact
  ::| Newsletter
Your Name:
Your Email:
 
 
 
Mesapliku
 
Kushtuar Mesaplikut
Saturday, 09.04.2010, 09:33am (GMT)

Mesaplik
Mesaplik

Në vend të hyrjes

 

Një libër i vyer për brezat e Mesaplikut

 

- vlerësime -

 

 

Nga Dr. Prof. SIRI HANAJ

 

Për njeriun që nderon dhe vlerëson njeriun që në gjallje, duke shkruar për jetën dhe veprën e tij, aq më shumë për vlerat e një komuniteti të tërë, për këtë njeri, komuniteti e shoqëria duhet të ketë respekt maksimal, se e meriton.

Mua ma shton kënaqësinë dhe krenarinë puna që ka bërë e bën biri i Mesaplikut, me histori të shquar edhe familjare - IDAJET JAHAJ. Jo vetëm në këtë libër të vëllimshëm, por edhe më parë, para disa dekadash, më kanë bërë përshtypje artikujt e tij të shumtë portretizues për fshatin e njerëzit e tij të shquar, në fusha të ndryshme. Ai drejtoi punën e një muzeu madhështor në Mesaplik, hartoi e përpiloi një historik sa më normativ, duke angazhuar në këtë punë një radhë veteranësh, njerëzish të kulturës e të brezave të ndryshëm.

Për këdo nga ne, që kemi rrënjët autoktone në Smokthinë, në Mesaplik, gjithashtu edhe në krahinën e Mesaplikut, është krenari, që unë nuk di ta shpreh e ta shkruaj si ai, atë që ndjej në shpirt, për atë vend të mrekullueshëm, për ata njerëz aq të dashur, të përzemërt, pritës e bujarë, për atë vend, i cili, neve që jemi larg, na del në ëndërr, na merr malli edhe për gurët, edhe për drurët...

Dua të them se, kur një njeri apo disa njerëz i pasqyrojnë këto vlera aq të bukura të atij vendi e kështu i jep pasuri e kuptim jetës, ai njeri, apo ata njerëz, bëjnë një punë fisnike që do të jetojë e nderohet në breza.

Këtë na tregon edhe puna e madhe e Idajetit, në këtë libër të vyer. Idajeti na sjell në kujtesën e brezave ata që kanë ditur të bëjnë epokë, që me jetën e veprat e shembullin e tyre të madh, kanë ditur të prodhojnë e t’i japin dritë fshatit, brezave, historisë.

Libri është polivalent, prandaj edhe është i çmuar, shumë i çmuar. Ky libër, ashtu si gjithë librat e tjerë të shumtë të poetit, shkrimtarit dhe studiuesit IDAJET JAHAJ - na jep gëzim, frymëzim e krenari për vendlindjen tonë, për ata margaritarë vlerash që ka atje.

Libri është skalitur me një penë, sa historike, aq edhe letrare, medituese, të mprehtë e të bukur. Ai dëshmon edhe për njohuritë e shumta që autori zotëron në shumë fusha, që di t’i japë ato me mjeshtëri.

 

 

                                                            Tiranë, 17 gusht 2009


Ruzhdi Bajrami, studiues

 

Libri “Mesapliku” – monografi e Idajet Jahaj - një enciklopedi

 

 

Libri i Idajet Jahaj “Mesapliku - punim monografik” është një artikulim i ri, në serialin e gjatë të botimeve të tij në këtë lloj.

Ai është i përmasave enciklopedike. Është një kontribut i ri në arsenalin kulturor të librave historikë e letrarë që botohen sot në Vlorë. Autori ka botuar edhe libra të tjerë të tillë si atë për “Shekujt e Himarës”, “Mësues patriotë të Lumit të Vlorës”, “Kur çelnin shkronjat”, etj. Janë libra të karakterit informatik-studimor e meditativ të sferave që ai trajton.

Në këtë libër voluminoz jepen tablo të shumta nga historia, dukuritë kulturore në fshatin e Mesaplikut si dhe figurat më të spikatura të njerëzve që kanë lënë gjurmë në historinë apo jetën e atij kolektiviteti.

Pasqyron bukur e në masën e duhur raportin individ – masë, në ngjarje e kontribute. Fjala, sa shkencore, aq edhe emocionale, është karakteristikë e këtij studiuesi të zellshëm e të pasionuar. Rëndësi e shtjellim më të gjerë u ka bërë tablove të lashtësisë, të cilat janë trajtuar pak deri sot, po ashtu edhe tablove të kulturës materiale e shpirtërore të fshatit në breza.

Libri është një guidë e gjatë, por tërheqëse, në materialin që transmeton, dhe në stilin energjik të pasqyrimit. Ndriçohen aty tema të tilla tërheqëse si lashtësia e emrit, arkeologjia, toponimia, ...periudha historike, figura të shquara, patriotë e veprimtarë të kohëve, por edhe të dekadave të fundit, deri tek pasqyrimet kulturore, si punimet e simbolikat në gur e në dru, kënga popullore, humori, etj.

Libri i I. Jahaj, është unikal në llojin e vet, është një kontribut i shënuar në kulturën e sotme që zhvillohet në Vlorë.

 

 

Agron Meta, studiues

 

“Një varg i gjatë thesaresh të historisë e kulturës së një fshati-të përmbledhura në një libër”

 

U ndjeva i befasuar nga monografia voluminoze e autorit Idajet Jahaj, për fshatin e tij-Mesaplik. E shfletova atë në dorëshkrim dhe pashë në ‘të një enciklopedi të vërtetë, shumëplanëshe, për historinë dhe kulturën e atij fshati e asaj zone me banime të lashta.

Idajeti, pas shumë botimesh të suksesshme, nga fusha e poezisë, prozës së shkurtër e një sërë librash historiko-letrarë për historinë e arsimit dhe figurat e shquara në Vlorë, vjen tani me një vëllim të tillë për fshatin e vet, që mban edhe emrin e krahinës sonë emërdëgjuar - Mesaplik.

Libri është një vlerë e re nga përmbajtja dhe konceptimi. Vetëm një shpirt i thellë atdhetarie dhe e një eruditi mund të përpilojë e të artikulojë një libër të tillë, i cili na nxit

edhe neve, studiuesve të asaj krahine, që të nxjerrim në dritë punime të tilla për komunitetet tona. Edhe kjo pasuri vlerash historike e kulturore e fshatit Mesaplik është njëherazi pjesë e historisë së madhe të krahinës, kësaj krahine me banime të lashta, më se 30 shekullore, dhe që, në rrjedhën e shekujve, ka lënë gjurmë të pasura të traditave patriotike e kulturore.

Ne, si brez, e kemi detyrim moral, historik e njerëzor që t’u lëmë brezave të ardhshëm punime të tilla, që ata të jetojnë me të kaluarën, pa e ndarë nga e sotmja dhe e ardhmja e zhvillimit të vendit.

Libra të tillë janë kontribute të mëdha në pasqyrimin e historisë dhe kulturës së “qelizës etnike që quhet fshat”.

 

 

 

Esat Spahaj

 

 

Kënaqësia e vërtetësisë

 

Përpilimi i një libri të tillë, i përmasave kaq të mëdha e të shumanshme, është një akt patriotik i rrallë.

Këtë e ka realizuar Idajeti.

Vepra është bërë me një ndershmëri të madhe, dhe me këtë dua të them për drejtësinë balancuese të vlerave, të të gjithë komunitetit të fshatit dhe të pjesëve përbërëse të tij.

S’ka aty mbivlerësim personash, familjesh apo fisesh, gjithashtu s’ka edhe mohim apo nënvlerësim. Shumë punime sot vuajnë nga mangësi të tilla të kultit fisnor. Në të kundërt, Idajeti nuk e ka këtë. Ai ka sistemuar e ka pasqyruar vlerat nga parime ideore e intelektuale të drejta, jo nga tarafet. Dhe idealet janë sa atdhetare, aq edhe shkencore, kur je i pajisur me një ndërgjegje e kulturë të tillë.

Bile mund të themi se Idajeti pakëson nga vetvetja apo të afërmit e tij, e kjo është një shprehje e modestisë intelektuale që e karakterizon. Ai ka shkruar që dekada më parë, dhe të gjithëve na ka pëlqyer për korrektesën e shkrimeve të tij, pa teprime.

Jam konsultuar me ‘të për shumë gjëra që trajtohen në libër, librin do ta lexoj kur të botohet, por po them që tani, që kam besimin dhe kënaqësinë e vërtetësisë, sikur ta kisha shkruar vetë këtë libër.


Dy fjalë lexuesit

 

Një pasqyrim sa më i plotë të historisë dhe vlerave të komunitetit

 

 

Në fakt, monografia, siç ka qenë traditë, është një studim i gjërë për çështje e tema të veçanta, të cilat janë praktikuar për një objekt studimor: gjuhësor, historik, letrar, etj.

Por sot ky term merr një kuptim më të gjerë, si për shembull një vështrim historiko-kulturor edhe për një fshat të caktuar, një zonë, qytet, etj. Fshati është një njësi etnografike, demografike, si ngulim i hershëm, me historinë dhe kulturën e vet shumëplanëshe. Të tilla monografi kanë filluar të bëhen si për shembull, ai i Matogjinit, me autorët Ruzhdi Bajrami e Dane Hoxha. Ai është një punim shumë i gjërë, i cili jep njohuri nga më të ndryshmet për fshatin. Frymëzoi gjithashtu që të tilla të bëhen edhe në fshatra të tjerë. Një punim i tillë i largohet skemës së dikurshme të historikëve të thatë të fshatrave, në të cilët, veç disa anëve historike, nuk paraqisnin aspekte të vlerave kulturore e njerëzore, si figurat e shquara, dhe në gjithë atë punë sundonte parimi i thatë i “historizmit klasor”.

Shkrimet për këtë studim, apo monografi, për fshatin e Mesaplikut, kanë filluar kohë e dekada më parë, si me përshkrime historiko-letrare ngjarjesh, personash historikë në fshat e trevë etj. Të tilla punime u ngjajnë enciklopedive, por jo në kuptimin e fjalorëve apo rubrikave të shkurtra për zëra të ndryshëm, përkundrazi, me informacione më funksionale, sidomos në raportet popull-individë (të shquar) dhe në planin tjetër - tablot e kulturës materiale e të kolektivitetit.

Pra, një njohje e përgjithshme, bashkëkohore e kësaj historie, apo e këtyre tablove, e diktuar kjo edhe nga domosdoshmëria e njohjes së të kaluarës, në kushtet e sotme të largimit e migrimit të brezave, historia, kultura, të mos humbasë, por “të merret me vete” nga këta, sepse është historia e tyre e mëparshme, gjaku i tyre i brezave.

Kështu edhe për fshatin Mesaplik. Edhe ky fshat ka momente historike jo vetëm lokale, por edhe ngjarje madhore krahinore e kombëtare, të cilat i bëjnë dritë edhe historisë së këtij fshati të vogël, i cili ka një ngulim në trojet e tij, të të parëve, po që prej një shekulli...

Mesaplikasit rrjedhin nga tre fshatrat e Smokthinës - Matogjinit, Bashit e Ramicës. Bashajt e matogjinasit kanë ardhur këtu që para një shekulli, ndërsa ramiciotët - nga vitet 70-të të shekullit të kaluar.

Nëpër kapitujt e librit janë bërë shtjellime, qoftë edhe informuese, të shkurtra për pjesët përbërëse të fshatit, si: Shalës, Parikë, fusha e Mesaplikut etj. Më parë kanë qenë të ndarë në fshatra – Mesaplik e Shalës, ndërsa që nga viti 1924 ishin secili me kryepleqësi më vete. Në vitet e luftës të dy fshatrat u bashkuan në një këshill. Pas çlirimit,  në vitin 1956 gjithashtu mbizotëroi emri Mesaplik, zyrtarisht. Prej një shekulli bashkësie, familjet e fiset e

këtij fshati kanë patur të përbashkët ngjarjet e mëdha historike, si pjesëmarrjen në ngritjen e Flamurit në Vlorë, në luftën e Janinës – 1913-të, 1920-të, regjimin para çlirimit, vitet e luftës Nacionalçlirimtare, dekadat e jetës kolektive, pas çlirimit, pra, një jetesë shekullore me evenimente e tablo kulturore të fushave të ndryshme.

Libri është konceptuar në tri pjesë!

1.    Tablo historike

2.    Njerëz të shquar të fshatit

3.    Tablo të kulturës materiale e shpirtërore

Kapitujt kanë sytha të shumtë trajtesash të ndryshme. Në këtë fshat, si kudo, ka patur ngjarje të mëdha. Për shembull: Kuvendi i Mesaplikut – 1847; dy vizitat e Ismail Qemalit (1908-1913), gdhirja e Luigj Gurakuqit dhe e një vargu njerëzish të mëdhenj të Vlorës e të kombit, sidomos te shtëpia historike e Zaçe Xhelos; fshati i vogël – Mesaplik dha një kontribut të madh në luftën Nacionalçlirimtare: 60 partizanë, 60 e ca territorialë, 30 e ca dëshmorë e viktima (plus të ’20-ës) etj. Të gjitha këto, si dhe aspekte nga kultura e lashtë arkeologjike, ku këtu janë zbuluar mozaikë të famshëm, Cerja antike, monumente të tjera e mbishkrime, flasin për vlera të shumta të historisë, brezave dhe etapave kohore të ndryshme në këtë territor.

Po ky fshat i vogël është shquar edhe për inteligjencë; pas çlirimit bijtë e tij ndiqnin shkollën edhe me orë larg, të etur për dije. Kanë dalë prej këtij fshati mbi 60 oficerë, mbi 60 mësues e specialistë të fushave të ndryshme. Tre doktorë-profesorë dhe një docent janë nga ky fshat. Figura të tilla si ajo e Zigur Lelos, e Zaçe Xhelos (pavarësisht se ky ishte nga Ramica, por aktivitetin e tij të madh e dha për disa dekada tek shtëpia e tij në Mesaplik)... Heroizmi i rrallë i familjes Murraj, ...apo pas çlirimit figura e Xhelo Murraj, një nga shkencëtarët e mëdhenj të vendit tonë, - këto e shumë vlera të tjera të mëdha, i japin dritë të veçantë historisë dhe brezave të këtij fshati.

Është punuar me parimin e vlerave të të gjithë këtij kolektiviteti, duke iu shmangur mbivlersimeve fisnore, që zakonisht vihen re sot në shumë libra. Dhe të gjitha këto janë parë në këndvështrimin e lidhjen me kontributin patriotik të përgjithshëm.

Tablotë e kulturës: folklorit, këngës, humorit, zejeve të ndryshme popullore, e shtojnë më shumë sferën e mozaikut të informacioneve në fushën e njohjes së kulturës e historisë. Me frymën e konceptimit bashkëkohor është trajtuar edhe ndonjë figurë e tillë si ajo e Xhemil Meços, i cili, pavarësisht nga qëndrimi ndaj luftës, ka dhënë kontribute të tjera të larta për fshatin, si ndërtimin e shkollës në Mesaplik etj.

Koha, siç sqarohet në libër, dhe dihet nga të gjithë, kërkon vlerësime më të arsyeshme, duke shoshitur në raport të drejtë vlerat me mangësitë, qoftë edhe tek një figurë historike.

Pra, ideali për vlerat e kolektivitetit të fshatit ka qenë parimi bazë nga i cili është udhëhequr ndërtimi i këtij libri.

Nuk mund të thuhet se çdo temë është shteruar deri në fund, por vlerat, ndriçimet, kudo që gjenden ato, janë mbledhur, me synimin për të bërë të mundur një pasqyrim sa më të plotë të universit etnik siç është një fshat, me histori e kulturë të lashtë.

 Vlen të shënohet këtu se një punë e tillë pasqyruese ka nisur që në vitet ’80-të (shekulli i kaluar). Në vitin 1987 (12.10) u formua një komision nga organet në fshat dhe u lexua para tij e u diskutua projekt-maketi i muzeut të fshatit. Paraprakisht u punua me bashkëfshatarët veteranë të fshatit si: Njazi Canaj, Zenel Hoxhaj, Qeret Spahaj, Mato Rustemi, Shako Hoxhaj, Qemal Dalani, Ferjat Shakaj, Sali Jahaj, Seftedin Lelaj, Idai e Luto Canaj, Çerçiz Sullaj, Neki

zotaj, Muço Lame, Brahim Sullaj, Melë Canaj, Brahim Bedini, Laver Muçohasani, Metlli e Divit Llanaj, Selfo Imeri, Ismet e Kujtim Spahaj, Beshir Jahaj etj.

Vijëzat historike të librit u pasuan me portretet e figurave më në zë të fshatit, nga të gjitha fushat e jetës e historikut, gjithashtu edhe tablotë e jetës kulturore. Në vijat kryesore të këtij libri, sidomos në përpilimin e listave të ndryshme u bashkëpunua me njerëz të secilës fushë, si: të punëve pas çlirimit, folklor, këngë, zeje etj.

U bë edhe një informim në vija të përgjithshme në një aktiv të shoqatës “Mesapliku”, i cili u mblodh në datën 24.12.2009, në qytetin e Vlorës. Në ‘të morën pjesë: Atdhe Deromemaj, Namik Jahaj, Çelo Deromemaj, Bedri Sullaj, Eqerem Canaj, Riza Hodaj, Xhevdet Nuraj, Arshi Imeri, Hajri Sullaj, Tomorr Lelaj, Thanas Matodashaj, Ladi Dulaj, Ruzhdi Dulaj, Refit Llanaj, Vangjel Shakaj, Agim Nuraj, Ilirjan Bajramaj, Arsen Zotaj, Fatosh Nuraj, etj.

(Edhe me disa që nuk morën pjesë në mbledhje, është bashkëpunuar në mënyrë individuale me ta). Nënvizoj këtu kontributin e veçantë të disave prej veprimtarëve për çështjen e trajtesave historike të fshatit: z. Esat Spahaj, i cili kontribuoi me materiale dokumentare e sugjerime të historikut; z. Agim Nuraj, i cili mblodhi materiale portretesh tek bashkëfshatarët tanë në Tiranë; z. Bedri Sullaj, me material të pasur fotografik, që e kishte ruajtur me kujdes prej disa dekadash; z. Arshi Imeraj – për materiale fotografike, videos me filmime të vendlindjes,... etj, si dhe shumë mesaplikas të tjerë.

I falënderoj të gjithë përzemërsisht për ndihmesën e dhënë. Njëkohësisht shpreh ndjesën për ndonjë harresë ose mosevidentim të mundshëm.

 

                                                                   Idajet Jahaj


 

.

Comments (0)        Print        Tell friend        Top




 
  ::| Events
December 2014  
Su Mo Tu We Th Fr Sa
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31      
 

Designed And Developed By EVASOFT Informatics (Albania)  - 2008
[Top Page]